Kosovën po e presin ditë më të mira. Diaspora përditë e më e interesuar për të investuar në Kosovë, në një klimë e cila po shkon drejt përmirësimit si për investitorët e brendshëm, ata nga diaspora por edhe për investitorët e jashtëm
Shkruan: Bekim Brestovci
Diaspora kosovare është produkt i një dhune sistematike të ushtruar nga pushtuesi serb i cili përveq përndjekjeve politike ndaj popullit shqiptar të Kosovës, ushtroi sistematikisht edhe represion ekonomik me të vetmin qëllim, varfërimin dhe gjunjëzimin e popullit shqiptar dhe vuarjen në kontroll të të gjitha segmenteve jetësore.
Kujtojmë vetëm largimin masiv të të gjithë shqiptarëve mbas grevës së organizuar nga sindikata e pavarur e Kosovës me datë 03 Shtator 1990, kur shumica dërmuese e të punësuarve shqiptarë u larguan dhunshëm nga mardhënia e punës, duke u shoqëruar e gjithë kjo edhe me mbylljen e të gjitha institucioneve publike siç ishin shkollat, universitetet, mediat e çdo gjë tjetër që frymonte shqip.
Ishin këto vetëm disa nga arsyet e një vale të madhe ikjesh të fillim viteve 90- ta, në drejtim të shteteve të ndyshme të Evropës por edhe të vendeve përtej Atlantikut.
Gjendja politike por edhe ajo ekonomike po rëndohej dita ditës në vend. Armiku karshi dhunës policore po ushtronte një politikë të qëllimshme varfëruese për popullin shqiptar të Kosovës, andaj edhe mërgatës sonë të ikur dhunshëm nga trevat e tyre shekullore po i imponohej një prioritet i jetës së tyre në shtetet strehuese anë e mbanë botës.
Sigurimi i egzistencës dhe i mirëqenies ekonomike për familjet e tyre në Kosovë u bënë me automatizëm prioritet i çdo mërgimtari por jo vetëm kaq. Prioritet i mërgimtarëve u bënë edhe financimi i qeverisë së Kosovës në egzil, krijimi i mundësive për sistemin arsimor paralel, mbështetja materiale e luftës çlirimtare në Kosovë e shumë e shumë gjërave të tjera të cilat drejt për së drejti lidheshin me ndihmën dhe krijimin e mundësive për t’i përballuar planit të një spastrimi etnik që shteti i Serbisë kishte përgatitur për shqiptarët e Kosovës.
Diaspora në të gjitha fazat e saj, si para lufe por edhe gjatë dhe pas luftës me kontributin e saj material u bë bartëse e proceseve zhvillimore të vendit.
Ishte Diaspora, ajo e cila dhe kontribut të pakontestueshëm në rindërtimin e vendit pas shkatërrimit që pësoi në luftën e fundit. Eshtë diaspora ajo që për vite të tëra përmes remitancave radhiten në vendin e parë për sjelljen e parasë në vend.
Eshtë diaspora ajo e cila me konsumin gjatë qëndrimit në vendlindje radhitet në konsumatorin më të madh në vend e sidomos në sezonin verorë.
Janë pjesëtarët e diasporës ata të cilët tash e dy decenie e gjysmë po sjellin kapitalin e tyre të kursyer nga vendet ku ata jetojnë duke u bërë kështu investitorët kryesor në Kosovë.
Krejt kjo dhe shumë gjëra tjera të pathëna janë një tregues i mirë i rëndësisë së madhe që diaspora kishte dhe ende ka në zhvillimin ekonomik të vendit.
Tani së fundmi shoqata të ndryshme të afaristëve shqiptarë në diasporë, siç është Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, po sjellin edhe një format të ri të kontributit për ngritjen e kapaciteteve prodhuese në vend, për shëndrrimin e diasporës në konsumatorë si dhe për krijimin e shoqërive të përbashkëta aksionare.
Janë të rregullta takimet e bizneseve nga diaspora me bizneset nga Kosova dhe e gjithë kjo me qëllim të krijimit të mundësive për eksportimin e prodhimeve nga firmat kosovare drejt tregut evropian. Janë të shumta kontratat e lidhura si për furnizim me rroba pune e po ashtu edhe për furnizim me dyer, dritare e mobile por edhe për marrjen e shëbimeve të ndryshme si në fushën e IT e po ashtu edhe në fushën e shërbimeve të kontabilitetit.
Marrëveshja e lidhur mes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Unionit të Bizneseve Shqiptaro Gjermane, për ndërtimin e një zone ekonomike për bizneset nga diaspora në një hapsirë prej 40 hektarëve, flet jo vetëm për një gatishmëri të madhe të diasporës për të investuar ne vendet e origjinës, por flet edhe për një gatishmëri të madhe të afaristëve shqiptar nga diaspora për t’u bërë edhe më fuqishëm bartës të një procesi i cili qon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Iniciative e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, e cila pritet të konkretizohet gjatë këti viti, për krijimin e një shoqërie aksionare me aksionarë numerikisht të shumtë, me qëllim të investimeve të përbashkëta në industrinë ushqimore, blegtori dhe turizmin malorë, është po ashtu një tregues i mirë i rëndëisë dhe primatit që diaspora përditë e më tepër po merr në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Kosovën po e presin ditë më të mira. Diaspora përditë e më e interesuar për të investuar në Kosovë, në një klimë e cila po shkon drejt përmirësimit si për investitorët e brendshëm, ata nga diaspora por edhe për investitorët e jashtëm.
Bekim Brestovci – është me profesion jurist dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare-ekonomike dhe Udhëheqës i zyrës së Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Kosovë.